Ftesë për aplikim për 152 vende të hapura për Ausbildung

FTESË PËR APLIKIM

Programi:            SHKOLLIM, AFTËSIM DHE PUNËSIM NË GJERMANI - AUSBILDUNG

Profesioni:         PËRKUJDESËS PROFESIONAL- INFERMIER  (PFLEGEFACHKRAFT)

Viti përgatitor:  2020/2021, GJITHSEJ 152 KANDIDATË

Agjensioni i Përkrahjes së Punësimit Kosovë – APPK është në partneritet me institucione publike dhe jo-publike të Gjermanisë, si  Diakonie (Baden Württemberg) nga viti 2014,  pastaj prej vitit 2019 edhe me Akademinë CEB (Saarland dhe Land Rheinland-Pfalz) si dhe Komunën Coburg (Bayern), duke bashkëpunuar ngushtë në përzgjedhjen, përgatitjen dhe realizimin e programeve të Shkollimit dhe Aftësimit Profesional, apo AUSBILDUNG siç njihet në Gjermani, në Profesionin “Përkujdesës Profesional (Pflegefachkraft)” me synim punësimi si “Përkujdesës ndaj të moshuarve”.

Projektet e kaluara rezultuan me implementimin shumë të suksesshëm të programeve ashtu që:

  • 377 kandidatë janë pranuar në program, një pjesë e kanë përfunduar programin AUSBILDUNG dhe tani më punojnë si Kuadro Profesionale, disa janë në vite të ndryshme të Shkollimit dhe Aftësimit, kurse
  • 123 kandidatë, pas përgatitjes njëvjeçare, do të fillojnë programin AUSBILDUNG në muajin gusht-shtator 2020.

Suksesi i jashtëzakonshëm i këtyre programeve, me interes për të gjitha palët, ka rezultuar që edhe këtë vit të bëhen kërkesa të reja nga partnerët Gjerman për përzgjedhjen dhe përgatitjen e  kandidatëve të rinj, me ç’rast kemi kënaqësinë të prezantojmë këtë:

FTESË PËR APLIKIM PËR 152 VENDE TE HAPURA PËR AUSBILDUNG

Pjesa e përgjithshme:

  • Përzgjedhja e kandidatëve bëhet gjatë periudhës qershor-korrik 2020
  • Fillimi i programit përgatitor një vjeçar në Kosovë, për kandidatët e përzgjedhur, do të jetë nga data 10 gusht 2020
  • Shkuarja në Gjermani dhe fillimi i programit AUSBILDUNG do të jetë nga muaji gusht-shtator 2021

Nëse Ju:

  • Keni të përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë (çfarëdo drejtimi), apo gjimnazin me afinitet në lëndët shkencore (në veçanti biologji dhe kimi) dhe lëndët sociale/shoqërore
  • Jeni të gatshëm dhe të motivuar për vijimin e programit AUSBILDUNG trevjeçar në Gjermani, në profesionin “PËRKUJDESËS PROFESIONAL- INFERMIER  (PFLEGEFACHKRAFT)”
  • Jeni të gatshëm të mësoni dhe bashkë-investoni në mësimin e gjuhës gjermane (informatat më të detajuara i gjeni në pjesën vijuese)

Ju ofrohet:

  • Mësimi i gjuhës gjermane në APPK deri në nivelin B2, sipas metodave më bashkëkohore, i domosdoshëm për të vijuar programin AUSBILDUNG në Gjermani. Kostoja e mësimit të gjuhës do të mbulohet nga kandidati me një marrëveshje të tillë që me rastin e shkuarjes në Gjermani, në muajin gusht-shtator 2021, 50% e kostos së përgjithshme të nivelit A1 - B2 i kthehet kandidatit nga programi.

Të gjithë kandidatët e pranuar në program, pas përfundimit të fazës përgatitore një vjeçare (para shkuarjes në Gjermani), duhet të arrijnë njohuritë e gjuhës gjermane - niveli B2.

Pasi që njohja paraprake e gjuhës gjermane nuk është parakusht për t’u pranuar në program, përcaktimi i pjesëmarrjes në nivelin përkatës të gjuhës gjermane do të jetë si në vijim:

  • Ata të cilët nuk kanë njohuri të gjuhës gjermane përcjellin mësimin e gjuhës gjermane në APPK deri në nivelin e kërkuar – B2
  • Ata të cilët e njohin gjuhën gjermane pjesërisht i nënshtrohen një testi vlerësues në APPK, me ç’rast përcaktohet se nga cili nivel apo pjesë të nivelit duhet të vazhdohet kursi në APPK
  • Ata të cilët posedojnë njohuri të certifikuara nga Goethe Institut dhe ÖSD për nivelin e kërkuar B2 nuk kanë nevojë të vijojnë kursin në APPK, përveç aktiviteteve para integruese.
  • Përkrahje përgjatë tërë programit një vjeçar të përgatitjes në Kosovë. I tërë procesi dhe përkrahja realizohet pa asnjë kosto financiare për kandidatin. Të gjitha shpenzimet, si përkthimi i dokumenteve, taksa e vizës, qëndrimi 10 ditor për hospitim në Gjermani (para fillimit të programit AUSBILDUNG), kostoja e fluturimit të parë, mbulohen nga programi.
  • Vijimi i tërësishëm trevjeçar i programit AUSBILDUNG në Gjermani, ashtu që mbulimi i shpenzimeve të jetesës dhe shkollimit behët nga të ardhurat mujore të kandidatit me rastin e vijimit të AUSBILDUNG, sipas normave dhe ligjeve të aplikuara në Gjermani.
  • Mundësi punësimi të përhershëm në Gjermani pas mbarimit të programit AUSBILDUNG.

Mënyra e aplikimit

Aplikimi bëhet vetëm online, duke dërguar një e-mail në hr@appk.org me subjekt “Aplikimi për AUSBILDUNG 15062020_” Emri dhe mbiemri”, më së largu deri më 03.07.2020. E-mailit tuaj duhet të ia bashkëngjitni këto dokumente:

  • Shkresën motivuese si dokumenti kryesor i aplikimit, duke e prezantuar në formë autentike (origjinale) motivin, arsyet dhe gatishmërinë për të aplikuar në këtë program
  • CV-në në formatin Europass (me foto)
  • Diplomën dhe dëftesën e vitit të fundit të shkollës së mesme (të skanuara apo si foto). Kandidatët të cilët sivjet diplomojnë dhe nuk e posedojnë akoma diplomën duhet të bashkëngjisin dëftesën e klasës njëmbëdhjetë - 11. Këtë çështje sqarojeni ju lutem edhe me fjalë në shkresën motivuese.

Të gjithë aplikuesit do të marrin një informatë kthyese në lidhje me aplikimin dhe proceset e mëtejme.

Nëse keni ndonjë paqartësi, ju mund të na kontaktoni në +383 44 507 628 apo na shkruani në hr@appk.org

E mirëpresim aplikimin tuaj,

Stafi i APPK-së

 

Job Information

Status: Expired Job type: Full Time Salary: Negotiable Publish date: 15 Qer 2020

Apply for job

Sorry! application is not available.