Të martën, me 21 mars 2023, kishim kënaqësinë që në APPK të kishim në vizitë Zëvendës Ambasadorin e Ambasadës Gjermane në Prishtinë, z. Matthias Conrad. Në takimin e organizuar posaçërisht për këtë vizitë, Udhëheqësi i Përgjithshëm i APPK-së, z. Bedri Xhafa dhe bashkëpunëtorët e tjerë, e informuan z. Conrad për përvojën 23 vjeçare të APPK-së në implementimin e projekteve për përkrahjen e ri-integrimit ekonomik të grupeve të ndryshme synuese të shoqërisë kosovare. Z. Conrad u informua në veçanti për projektin për ri-integrimin ekonomik të pjesëtarëve të ish TMK-së, pas demobilizimit të tyre në vitin 2008, pastaj të kthyerit nga vendet e perëndimit dhe të regjionit, pjesëtarët e komuniteteve pakicë në Kosovë, punëkërkuesit nga brezi ndër-kufitar me Malin e Zi dhe Shqipërinë përmes projekteve të Bashkimit Evropian, dhe së fundmi përkrahjen e të rinjve kosovarë përmes programeve të shkollimit dhe aftësimit profesional, me theks të veçantë në Gjermani – si programe të mobilitetit të fuqisë punëtore.

Z. Conrad gjithashtu u informua me rolin e APPK-së në shoqërinë kosovare në fushën e Arsimit, Aftësimit Profesional dhe Punësimit, ku APPK bashkëpunon ngushtë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, pastaj me Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës dhe Odat Ekonomike, me theks të veçantë me Oden Ekonomike Gjermano-Kosovare. Përgjatë të gjitha prezantimeve, z. Conrad bëri pyetje për shumë çështje, dhe gjatë diskutimeve u arrit të sqarohet edhe me shumë roli i APPK-së dhe përformanca e saj në fushën e përkrahjes së punësimit në Kosovë.

Në fund të takimit, z. Conrad mori një listë me projektet e APPK-së, prej të cilave 200 të realizuara dhe 20 të cilat janë në implementim të vazhdueshëm.

Gjithashtu, në përmbyllje të vizitës, z. Conrad, në shoqërim të Udhëheqësit të Përgjithshëm të APPK-së dhe bashkëpunëtoreve të tjerë,  vizitoi disa prej grupeve të punëkërkueseve të cilët po përcjellin trajnime të ndryshme dhe kurse të gjuhës Gjermane.